Stano: Deklarata e Borrellit për aksionin në veri i referohet një konteksti më të gjerë

Stano: Deklarata e Borrellit për aksionin në veri i referohet një konteksti më të gjerë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se qëllimi i deklaratës së Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, për incidentet në aksionin kundër kontrabandimit me mallra në veri, nuk është të tregohet me gisht njëra palë, përcjell Insajderi.com.

Në konferencën e rregullt me gazetarë, Stano tha se deklarata e Borrellit i referohet një “konteksti në gjerësi”.

Sipas tij, ka një praktikë të koordinimit me faktorin ndërkombëtar para dërgimit në veri të Policisë së Kosovës.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

“Konteksti i asaj që po ndodhë në veri të Kosovës është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëhet fjalë për koordinim nëse njëra palë vendosë të bëjë diçka në një pjesë me atribute specifike siç është veriu i Kosovës, praktika e zakonshme është të ketë koordinim të afërt me komunitetin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe me kolegët nga ana tjetër”, deklaroi Stano.

Ai shton se reagimi i Borrellit nuk i referohet vetëm operacionit policor kundër kontrabandistëve.

“Situata në atë pjesë të Kosovës është jostabile dhe gjithçka që bëhet në atë pjesë të territorit duhet të merret parasysh, thamë herën e kaluar se çdo veprim i njëanshëm duhet të evitohet në mënyrë që të mos ketë konfrontime”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Stano shprehet se për Komisionin Evropian është me rëndësi që të dy palët të koordinohen në çdo kohë, kurse komenti i Borrellit nuk i referohet luftës kudnër korrupsionit.

“Ajo që ndodhi dje është rezultat i disa veprimeve të caktuara të cilat nuk ishin të koordinuara, nuk mund të reduktohet reagimi i vetë operacionit policor, por se bëhet fjalë për çështje gjithpërfshirëse e cila rregullisht kthehet në skenë”, shtoi ai.

Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com