Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.
Gjatë një konference për media, Stano deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm për ta ndihmuar Kosovën dhe Serbinë.
“Që prej se ne kemi rinisur dialogun që është ende duke vazhduar nga viti 2011-të, verën e kaluar ne jemi munduar t’ju bëjmë të qartë të dyja palëve se mënyra e vetme për të arritur të ardhmen evropiane për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë arrihet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashikimi Evropian”.
Stano, theksoi se kjo është çka BE-ja ofron dhe se do të ofrojnë shërbime për të dyja palët për t’i ndihmuar ato që të adresojnë çështjet që mund t’i kenë për njëra-tjetrën për çfarëdo çështje të hapur që mund të kenë”.
“Ne jemi duke u munduar që t’ju ndihmojmë të gjejnë kompromisin e nevojshëm për t’i dhënë fund të gjitha çështjeve të hapura që kanë mes vete” deklaroi Stano.
Ka shënuar dita e shtatë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak – për ta zbatuar reciprocitetin në targa.
Kundërshtimi i serbëve lokalë ishte i menjëhershëm, pos protestave në rrugë ata edhe i bllokuan ato duke vendosur kamionë si pengesa.
Policët kosovarë duhet të ndjekin rrugë alternativa për t’iu shmangur pengesave.
Ndërsa, netët janë me zhurma – serbët këndojnë këngë nacionaliste.
Deklarata e Josep Borrell:
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që të largohen Njësitet Speciale nga Veriu i Kosovës dhe njëkohësisht të hiqen edhe pengesat e vendosura në rrugët kryesore nga serbët lokalë.
Përmes një adresimi, Borrell theksoi se është e papranueshme për Bashkimin Evropian çdo “provokim i njëanshëm”.
Për këtë, ai shtoi se “dialogu është zgjidhja e duhur për Kosovën dhe Serbinë”.
“BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti këtë javë”, ka thënë ai. /Isajderi.com