Janë rreth 1.6 milionë individë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, deri në janar 2018, sipas të dhënave të Diasporës, një publikim i ri i INSTAT.
Nga këta 825 mijë individë (gati 53%) janë meshkuj dhe 755.6 mijë janë femra.
Pjesa më e madhe e tyre kanë ikur pas viteve ’90, por edhe vitet e fundit ritmi i të ikurve vijon të mbetet i lartë.
Sipas INSTAT shqiptarët e larguar jashtë vendit gjatë periudhës 2011-2017 arritën gjithsej në 317 mijë persona.
Ky vlerësim u bë duke marrë në konsideratë krahasimin e dy popullsive asaj të popullsisë banuese dhe regjistrit civil. Si bazë u mor popullsia më 1 janar 2018 e regjistrit civil, e cila përmban të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht vendbanimit të tyre (edhe ata që jetojnë jashtë vendit) sipas moshes dhe gjinisë. Kësaj popullsie ju zbrit popullsia e përllogaritur nga INSTAT (përllogaritje vjetore), e cila i referohet popullsisë banuese në vend (personat që plotësojnë kushtin e vendbanuesit të zakonshëm- që jetojnë në vend për 12 muaj ose më shumë). Në këtë mënyrë u përftua një vlerësim i shtetasve shqiptarë që nuk jetojnë në vend në 1 janar 2018.
Kjo shifër është më e lartë sesa popullsia e qytetit të dytë më të madh në vend, Fierit, që në janar 2018 kishte 298 mijë banorë, apo Durrësit, me 278.5 mijë banorë.
Sakaq INSTAT ka identifikuar se mosha mesatare e emigrantëve është më e ulët se ajo popullsisë banuese në Shqipëri.
Mosha mediane e popullsisë së diasporës rezulton 32 vjeç, e cila mbështet dhe faktin që emigracioni shqiptar involvon një popullsi të re dhe se diaspora shqiptare është më e re në moshë sesa popullsia banuese në Shqipëri, ku mosha medianë gjatë vitit 2017 shënoi vlerën 35 vjeç.
Emigrimi në dekadën e fundit ishte 56 për qind meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51 për qind meshkuj në Itali. Migrimi në Gjermani akoma ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët e fëmijëve. Në krahasim me të, Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese e migrimit familjar.
Këto shpërndarje moshore të emigrimit reflektohen tek të dhënat në strukturën e popullsisë së Shqipërisë që aktualisht jeton jashtë vendit siç raportohet në Censin 2011.
Struktura moshore e shtetasve Shqiptarë të regjistruar në Censin Italian 2011 gjithashtu tregon qartë efektet e bashkimit familjar si dhe prezencën e një brezi të dytë: fëmijët e emigrantëve shqiptarë të lindur në Itali.
Sipas të dhënave të raundit të censeve 2010, shtetas shqiptarë që jetojnë në Europë figurojnë të jenë të një moshe të re. Rreth 36% e tyre i përkasin grupmoshës 30-49 vjeç. Shifrat tregojnë se janë femrat ato që dominojnë për grupmoshat nën 15 vjeç dhe 15-29 vjeç, ndërsa meshkujt janë më të shumtë në numër në grupmoshën 30-49 vjeç (38,6%). Këtë fakt e mbështesin edhe raportet e varësisë të cilat sipas të dhënave të censeve tregojnë se janë raporti i varësisë së shtetasve të rinj shqiptar 0-14 vjeç ndaj popullsisë 15-64 vjeç është 32.1% ndërsa ai i shtetasve të moshuar shqiptar 65+ është 5.3 %