Statistikat e punësimit tregojnë gjendjen e mjerueshme të të rinjve në Kosovë

Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 50.6 %. Papunësia afatgjate e të rinjve (15-19), që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj për tremujorin e fundit është 39.8 %.

Statistikat e punësimit tregojnë gjendjen e mjerueshme të të rinjve në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e nje ankete të realizuar më qëllim të matjes së fuqisë punëtore për tremujorin e parë të 2019.

Sipas këtij raporti, në tremujorin e parë të 2019, shkalla e punësimit është 28.2 %, shkalla e papunësisë është 26.9 % ndërsa shkalla e jo aktivitetit është 61.3 %.

Të dhënat e këtij raporti janë të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas AFP-së, përqindja e personave të punësuar me orar të pjesshëm për tremujorin e parë të këtij viti është 4.4 %.

Vetëpunësimi (si përqindje e të punësuarve) për këtë tremujor është 20.1 %. Përqindja e të punësuarve në punë të paqëndrueshme (personat, që janë të vetëpunësuar dhe nuk kanë punonjës dhe ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar) ishte 16.7 %.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.5%; ndërtimtaria me 11.5%, arsimi me 11.2%, si dhe prodhimi me 11.0%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket pjesëmarrjes në fuqinë punëtore që është 38.7 % në këtë periudhë, numri i femrave që i përkasin fuqisë punëtore ishte 19.5 % ndërsa meshkuj ishte 57.6 %.

Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 50.6 %. Papunësia afatgjate e të rinjve (15-19), që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj për këtë tremujor është 39.8 %.

Përqindja e të rinjve që nuk janë të punësuar, as në shkollim, as në trajnim – NEET (të intervistuarit e moshës 15-24 vjeç), është 29.0 %.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 39.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.9% kanë kontratë të përkohshme.

Kjo anketë ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar  4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.