Stavileci për idenë e Kurtit: VV kërkon nga opozita ta shkel kushtetutën

Stavileci për idenë e Kurtit: VV kërkon nga opozita ta shkel kushtetutën

Në një letër të hapur, Albin Kurti ka propozuar atë që ai e ka quajtur ‘dalje nga bllokada institucionale’, por që në fakt, sipas PDK-së, kjo është vetëm një lojë e tij për ta zvarritur edhe më tej konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

“Kurti po kërkon haptazi, me vetëdije të plotë, që partitë opozitare ta shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit”, ka thënë anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci.

Kurti ka propozuar që kur të mblidhet Kuvendi më 24 gusht, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre.

Në një shkrim në Facebook, të cilën Kurti e ka titulluar “Si të dalim nga bllokimi”, ai thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014,  që ia jep të drejtën ekskluzive grupit më të madh parlamentar të ketë kryetarin e Kuvendit, është i gabuar.

“Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës”, ka thënë Kurti.

Por, sipas Stavilecit, ish-lideri i VV-së, Kurti vetëm sa e ka zbuluar planin e partisë së tij që deputetët të cilët marrin pjesë në seancë ta propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas, duke shpresuar se mund ta marrin ndonjë votë më shumë, ta votojnë kundërligjshëm kandidatin e tyre, përkundër faktit se kjo e drejtë kushtetuese na takon vetëm neve.

“Kurti faktikisht është i interesuar që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë vetëm një vendim skandaloz dhe të papranueshëm, të cilin do e dërgonim në Kushtetuese, i cili më tej do e zgjaste bllokadën me muaj të terë, deri pas zgjedhjeve lokale, duke tentuar kështu që t’i krijoj një momentum më të mirë dhe mundësi më të mëdha vetes që pas zgjedhjeve lokale edhe LDK-ja ta konsideronte një koalicion me të”, ka thënë Stavileci për gazetën Metro.

Vetëvendosje, sipas Stavilecit, vetëm po provon të shpikë metoda të reja për vazhdimin e bllokadës.