Stefanoviq: Serbia nuk dëshiron konflikt me Kosovën

Stefanoviq: Serbia nuk dëshiron konflikt me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se “Serbia nuk dëshiron konflikt me Kosovën”.

Stefanoviq e lavdëroi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për siç tha ai “lëvizjet e tij të sakta politikisht”.

Sipas tij, nga këto politika të Vuçiqit përfitojnë serbët e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com.

“Kemi të drejtë të pozicionohemi në territorin tonë, askush s’na tregon çfarë të bëjmë, është vendim sovran. Nuk po shkelim asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ushtria s’ka hyrë askund ku nuk duhet të hyjë”, ka thënë ministri serb.

Gjendja në Veriun e Kosovës.

Veriu i Kosovës

Sot shënon dita e nëntë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo me qëllim që të zbatohet reciprociteti në targa.

Serbët lokalë u kundërpërgjigjen duke bllokuar rrugët kryesore. Ndërsa, ushtria e Serbisë është e pozicionuar pranë kufriti me Kosovën.

Poashtu, helikopterët serbë qarkulluan gjatë vikendit afër pikave kufitare.

Situata në veri – KFOR-i njofton se ka biseduar me palët për ndërprerje të protestës

Misioni i KFOR-it

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori, Franco Federici, ka njoftuar se në takim me krerët e institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, ka kërkuar “deeskalimin e shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit në Veri të Kosovës”.

Kërkesë tjetër e tij ishte rikthimi i një mjedisi të sigurt dhe liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Po ashtu ka bërë të ditur se KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës”.

“Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Federici. /Insajderi.com