Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se nuk e ka parë “dokumentin jozyrtar” lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan për të cilin pretendohet se kryeministri slloven, Janez Jansha ia ka dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, njofton Insajderi.
Stoltenberg pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s në Bruksel me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se i ka parë lajmet lidhur me non-paper’in.
“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg.
Sipas tij, NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon.
“Respektimi i dialogut konstruktiv dhe i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është rruga më e mirë për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Stoltenberg.
Nga ana tjetër, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka vlerësuar si “jashtëzakonisht të rrezikshme” idetë lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Duke rikujtuar bisedimet që ka zhvilluar me vendet e BE-së dhe anëtarët e NATO-s, Pendarovski tha se askush nuk i mbështetë këto lloj dokumentesh.
“Mosnjohja në mënyrë të hapur në opinionin publik e atyre që kanë shkruar këto është provë se edhe ata vetë kanë turp nga këto mendime.Këto dokumente i formojnë vetëm ata persona të cilët nuk arrijnë të mbështesin as interesat kombëtare të qytetarëve të vendeve të tyre”, tha Pendarovski, i cili shtoi se ata që kanë përgatitur dokumentin janë persona që mendojnë se do të vijë mirëqenia kur njerëzit të ndahen në baza etnike. /Insajderi.com