Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas vizitës së tij zyrtare në Kosovë, ku takoi krerët shtetërorë, thotë se Prishtina duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në dialogun me Serbinë, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ai në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në vend, ku shtoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, do të ishte në të mirë edhe të vendeve tjera të rajonit.
Ai ka folur edhe për tranzicionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri duke deklaruar se NATO-ja do të vazhdojë të punojë me FSK-në dhe do ta mbështesë atë në procesin e transformimit.
“Është e rëndësishme që ne të punojmë bashkë, KFOR-i është në Kosovë për të krijuar një mjedis të sigurtë për të gjitha komunitetet. Jemi këtu që shumë vite dhe ne ndjejmë përgjegjësi që të kontribuojmë në stabilitetin në Kosovë që është i rëndësishëm për tërë rajonin. Kemi diskutuar për tranzicionin e FSK-së në ushtri. NATO-ja do të vazhdojë të punojë me forcat e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg para gazetarëve.
Ai u pyet edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për çka tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa pajtimin e 30 vendeve anëtare të saj, ndërsa shtoi se Kosova ende nuk njihet nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian. /Insajderi.com