Strategjia e shtetit për t’i zënë “hajnat” e subvencioneve

Strategjia e shtetit për t’i zënë “hajnat” e subvencioneve

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arrestuar 11 të dyshuarit për rastin e njohur si “Subvencioni 2021”, pas një operacioni me masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit nëpër të gjitha lokacionet ku kishte dyshime për vepra penale.

Gazeta Online Insajderi ka siguruar kërkesën për Caktimin e Paraburgimit të të pandehurve, ku merret vesh edhe strategjia se si ka ardhur deri te arrestimi i tyre.

Në dokument thuhet se ata janë incizuar në vende të ndryshme me audio dhe video dhe të njëjtit janë vëzhguar “duke u incizuar dhe fotografuar dhe janë përgjuar të gjitha mjetet e telekomunikimeve, si dhe janë monitoruar bisedat në vende të ndryshme”.

Sipas dokumentit, nga audio dhe video incizimet vërtetohet se të pandehurit në lokacione të ndryshme “varësisht nga interesi dhe marrëveshja japin ryshfet, marrin ryshfet dhe pastaj i ndajnë në mes vete sipas marrëveshjes”.

Pra, në video incizime ata shihen duke ia dorëzuar njëri tjetrit paratë e marra.

Madje, “të pandehurit edhe e tradhëtojnë njëri-tjetrin sa i përket shumave të fituara, sepse nuk i ndajnë në mënyrë proporcionale sipas marrëveshjes duke mos iu treguar njëri tjetrit vlerën e saktë të ryshfetit të marrë”.

Ndonëse me 11 të arrestuar, në këtë operacion nuk është arritur të arrestohen të gjithë personat e përfshirë.

“Ka prova që vërtetojnë se pas një bisede paraprake në mes të pandehurit B.N. dhe L.S., kontaktojnë me një nga ryshfet-dhënësit, i cili ende nuk është arrestuar dhe i pandehuri B.N – Zyrtar për Pagesa Direkte, pasi pranon ryshfet nga ai dhe të njëjtat menjëherë i sjellë në zyrën e Drejtorit – L.S. – i ndajnë për gjysmë.

Seanca ndaj tyre ka filluar në orën 09:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa është e mbyllur për medie.

Rastin do ta gjykojë gjyqtari Naser Foniqi.

Të mërkurën për dyshimet për “Marrie ryshfeti” lidhur me subvencionet në bujqësi janë arrestuar 11 persona, ndërsa edhe gjatë së enjtes janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, por nën dyshimin për dhënie të ryshfetit për t’i marrë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë.

Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, të Podujevës, të Gjilanit, të Istogut e të Lipjanit, me aktvendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N. vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe është liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.com