
Viti i ri akademik do të fillojë me vonesë për studentët e rinj të vitit të parë, ndërsa nga 1 tetori do të nis për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, transmeton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexha.
“Viti akademik do të fillojë me vonesë për studentët e vitit të parë, për shkak të vonesës se realizimit të maturës shtetërore. Vonesa në maturë, pasi është kërkesë ligjore për kalim në arsimin e lartë, shkakton vonesë zingjirore në shpalljen e konkursit për pranim të studentëve, shpalljet e rezultateve”, tha Rexha.
Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e shkaktuar nga Coronavirusi, mësimi në institucionet e arsimit të lartë do zhvillohet në mënyrë të kombinuar.
Provimet pranuese për studentët e rinj dhe provimet tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, derisa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet tjera do të zhvillohen në distancë.
Megjithatë, Rexha thotë se të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qoftë publike apo private, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për respektimin e masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. /Insajderi.com