Studentët kosovarë që gjuajtën me vezë Ramën: Nuk ka rëndësi dënimi

Studentët kosovarë që gjuajtën me vezë Ramën: Nuk ka rëndësi dënimi

Është mbajtur sot gjykimi ndaj tre të dyshuarve për hedhjen e vezëve në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Këtë e ka bërë të ditur njëri prej të dyshuarve, Dardan Konjufca, i cili ka qenë në seancë bashkë me dy të dyshuarit tjerë, Valton Marku dhe Durim Jashari.

“Me lejoni që edhe në emrin e shokëve Valton Marku dhe Durim Jasharaj të shpreh mospajtimin tonë për përndjekjen e aksionit të vezëve. Ne besojmë se vitaliteti i një shoqërie matet me rezistencën e saj kundër padrejtësive, shtypjes dhe pabarazisë”, ka shkrua Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

“Aksioni i vezëve ishte rezistenca në vazhdën e një rruge të nisur qysh më parë me protesta e zaptime paqësore. Por, duhet të falënderojmë disa vezë që i dhanë jehonë zërit tonë deri në atë pikë sa të bëhej i pa injorueshëm. Bile edhe ky gjyq sot e dëshmon këtë”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se gjykimi i studentëve sikur të ishin vrasës, është e papranueshme.

“Edhe në Kosovë jemi përballur me histori të ngjashme. Veçse atje patëm filluar që më të parën herë me ngjyrë të kuqe, duke ngjyrosur Rektorin e Universitetit te Prishtinës dhe shumë aksione të tjera pastaj. Por, të gjykohen studentë për një vit rresht sikur të ishin vrasës, trafikantë, nuk ka ndodhur asnjëherë”, ka thënë tutje Konjufca.

Ai është i bindur se nuk janë duke u gjykuar për aksionet e tyre, por për kundërshtimet që kanë ndaj udhëheqjes.

“Në fund dua të them që vezët, salca, ngjyra e kuqe etj., nuk janë ato per çka sot jemi ketu. Këtë e kemi të qartë besoj të gjithë, madje edhe ju që e keni pushtetin të na dënoni. Ne jemi këtu për porosinë që mbartin vezët në lëvozhgë, për porosinë që kishte e kuqja e ngjyrës dhe e salcës. Ne jemi këtu për bindjet e kundërta që kemi me Kryeministrin dhe Ministren e tij”, vazhdon më tej postimi i tij.

Ai i drejtohet gjykatësit me një porosi.

“Zoti Gjykatës, ne nuk mund të jemi kundër shoqërisë; Ne besojmë në arsimin publik falas si e drejtë e çdokujt, si parim universal, ndërsa Kryeministri e Ministrja e besojnë atë si privilegj të të pasurve, si vlerë të një shpure shfrytëzuesish. Prandaj nuk ka fare rëndësi dënimi që do të shqiptoni. E ardhmja do të konfirmoje pafajësinë tonë”, ka përfunduar ai.

Për më tepër, sulmi me vezë ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kishte ndodhur më 2 nëntor të vitit 2015./Insajderi.com