Studentët po diplomojnë kundërligjshëm në Universitetin e Prishtinës

Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” parasheh vetëm tri afate të rregullta të provimeve. Por në UP tash e disa vjet organizohen edhe afate shtesë. Njohësit e çështjeve të arsimit thonë se këto afate janë të kundërligjshme, dhe rrjedhimisht të diplomuar në mënyrë të kundërligjshme.

Studentët po diplomojnë kundërligjshëm në Universitetin e Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka miratuar Statutin e fundit në vitin 2012, me plotësim-ndryshimet e tij. Ky Statut parasheh vetëm tri afate të rregullta të provimeve dhe asnjë më shumë.

“Afatet e provimeve përfshijnë afatin e dimrit (janarit), pranverës (qershorit) dhe vjeshtës (shtatorit)…”, përcakton Statuti.

Njohësit e çështjeve në arsim thonë se mbajtja e këtyre afateve është në kundërshtim me dokumentin më të lartë të UP-së, Statutin.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka thënë për Insajderin se fillimisht do të duhej të ndryshohej Statuti dhe më pas të vendosej për afate shtesë.

“Afatet shtesë janë në kundërshtim të plotë me Statutin e universitetit. Çfarëdo vendimi për afate shtesë duhet t’i pasojë vendimit për ndryshim të Statutit për çështjen në fjalë”, ka thënë Qehaja.

“Është mungesa e llogaridhënies që ka lejuar që një shkelje e tillë të ndodhë vazhdimisht, kjo, shumë e ndërlidhur me interesa të ngushta të individëve të caktuar”, ka shtuar ai për Insajderin.

Ai ka thënë se afatet shtesë nuk janë të dobishme për studentët dhe më shumë shërbejnë si mundësi për manipulim sesa për përgatitje të duhur.

Madje, Qehaja ka thënë se diplomimi i studentëve në këtë mënyrë është i kundërligjshëm.

“Është e kundërligjshme. Nuk besoj që të gjithë janë të vetëdijshëm. Sikur dikush t’i futet më qenësisht kësaj shkeljeje, atëherë të gjithë të diplomuarit mund të kontestohen”, ka thënë Rinor Qehaja për Insajderin.

Megjithatë, Jusuf Thaqi, ekspert i fushë së arsimit, ka thënë se afatet shtesë janë përgjegjësi e Senatit dhe jo e studentëve.

“Unë mendoj që çdo praktikë/vendim jostatutar i organeve të universitetit, siç është Senati, është përgjegjësi e Senatit, jo e studentëve”, ka thënë Thaqi për Insajderin.

Universiteti i Prishtinës nuk ka dashur ta komentojë këtë çështje, duke mos iu përgjigjur pyetjeve të Insajderit.

Megjithatë, ka profesorë brenda UP-së që i kundërshtojnë afatet shtesë, duke i parë ato si kundër statutare.

“Statutin e miraton Kuvendi i Kosovës, prandaj Rektorati e Senati duhet të punojnë sipas tij e jo ta shkelin brutalisht”, ka shkruar Milazim Krasniqi, profesor në degën e Gazetarisë.

Ai ka thënë se, duke lejuar afate provimesh antistatutare, në UP u janë hapur dyert edhe vendimeve të tjera të shumta antistatutare.

Sipas tij, për shkelje të tilla do të duhej të merrej prokuroria.

“Për shkelje kaq të hapëta, sikundër është lejimi i afateve antistatutare e antiligjore, mbase do të duhej të reagonte edhe prokuroria e shtetit. Konsensus për shkelje të Statutit e ligjeve nuk mund të ketë!”, ka shtuar Krasniqi.

Agim Hyseni, profesor në Fakultetin Filozofik, ka thënë për Insajderin se provimet në afatet shtesë i mban por është kundër kësaj praktike, duke kërkuar që Statuti të respektohet.

“Derisa statuti është në fuqi, do me thënë ekziston një statut, ekziston një institucion, dhe normalisht normat e atij statuti duhet të respektohen. Dhe në këtë aspekt afatet e rregullta duhet të mbahen”, ka thënë për Insajderin Agim Hyseni, profesor në Fakultetin Filozofik.

Ai ka thënë se i mban edhe provimet e afateve shtesë, por nuk pajtohet me këtë fenomen, duke thënë se është koha të respektohet Statuti.

“Konsideroj që koha është ta respektojmë normën tonë. Ajo normë nuk është vendosur nga dikush tjetër, është vendosur nga vetë anëtarët e Senatit. Koha është m’i respektu normat tona, asgjë më shumë”, ka thënë profesori Hyseni për Insajderin.