Studentja shqiptare që gjendet në Kinë flet për virusin vdekjeprurës

Studentja shqiptare që gjendet në Kinë flet për virusin vdekjeprurës

Virusi “Koronavirus” është duke u përhapur shumë në shtetin e Kinës dhe jashtë tij. Deri tash, në këtë shtet janë mijëra persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ndërsa është raportuar edhe për viktima.

Josilda Nreaj është shqiptarja që gjendet në Kinë për shkak të studimeve. Ajo për Topchannel ka folur për shëndetin e saj si dhe ka dhënë informacione të tjera.

“Unë jam mirë faleminderit! Jam studente në Wuhan por për momentin kam marrë një banesë me qira në një provincë tjetër në Xi’an. Universiteti na ka njoftuar të qëndrojmë jashtë Wuhan të paktën deri në datë 15 shkurt”.

Josilda që studion master në Pronësi Intelektuale, thotë se për të ky është viti i saj i parë në Wuhan dhe nuk e fsheh frikën për atë që po shikon dhe përjeton atje.

“Sigurisht që kam pasiguri dhe po përpiqem të përdor çdo masë të mundshme parandaluese gjithashtu jam dhe vetëm në një provincë tjetër ku nuk e di për sa kohë do të qëndroj. Gjithçka ndodhi shumë papritur dhe po përpiqem të ruaj qetësinë dhe të vëzhgoj situatën”

Josilda ka thënë se aktualisht një studente tjetër shqiptare ndodhet në një kampus universitar në Wuhan.