
Nëntë ankesa nga subjektet politike janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), deri në ditën e djeshme, shumica prej të cilave kanë të bëjnë me mos-certifikimin e kandidatëve në listat zgjedhore, transmeton Insajderi.
Kështu thotë kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, i cili thekson se përmes postës elektronike deri të shtunën janë paraqitur/dorëzuar 9 apele, ku pjesë e këtyre ankesave është Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja për mos certifikim të kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja.
Ndërsa Nisma Socialdemokrate, përveç listës së kandidatëve, ka bërë ankesë edhe për mos-certifikimin e partisë.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja), Për shkak mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. Nisma Socialdemokrate-NISMA, Për shkak mos certifikimit të subjektit politik dhe Listës së Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. Lëvizja Vetëvendosje! Për shkak të mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja”, thotë Desku për KP.
Desku ka thënë se PZAP-i në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim që të fillojë shqyrtimin dhe të vendosë për to. /Insajderi.com