Dy drejtorë të Postës së Kosovës janë arrestuar gjatë ditës së sotme pasi që dyshohet se të njëjtit janë përfshirë në një fjalosje dhe më pas sulm fizik brenda objektit ku punojnë, njofton Insajderi.
Siç bëjnë të ditur nga Policia e Kosovës për Insajderi-n, njëri nga dy drejtorët është dërguar në ndalim, ndërsa tjetri është liruar.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tutje ka shtuar se ky rast i ndodhur sot rreth orës 09:30 brenda objektit të Postës së Kosovës, është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Sot rreth orës 09:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje që ka ndodhur brenda objektit të Postës së Kosovës.
Hetuesit policorë në koordinim të ngushtë me prokurorinë përkatëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me rastin në fjalë, përfshirë këtu edhe arrestimin e personit të dyshuar. Rasti është hapur sulm ndaj personit zyrtar. Me urdhër të prokurorit personi i dyshuar V. T., është dërguar në qendrën e mbajtjes”, ka thënë Ahmeti.
Gjatë ditës së sotme Posta e Kosovës ka njoftuar se sot paradite në objektin e administratës qendrore të këtij institucioni, ka ndodhur një incident i vogël i fjalosjes dhe kacafytjes në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes, për çfarë edhe janë duke u marrë organet e rendit. /Insajderi.com/