Sulmi ndaj drejtorit komunal të Pejës, ende në arrati dy të dyshuarit

Sulmi ndaj drejtorit komunal të Pejës, ende në arrati dy të dyshuarit

Po vazhdojnë të gjenden në arrati dy të dyshuarit për sulmin ndaj drejtorit të Inspektoratit Komunal të Pejës, Leotrim Murtezaj, dhe inspektorin e ndërtimit Mentor Beqiraj, që kishte ndodhur tre ditë më parë.

Të shtunën u raportuar se Drejtori Leotrim Murtezaj është sulmuar nga pronari i diskotekës “Arthur’s Club”, Ardian Qelaj dhe një tjetër person të cilët ndodhën në arrati pasi po kërkohen nga policia e Kosovës, shkruan Insajderi.

“Me datën 16 nëntor rreth orës 00.50 policia është informuar se në një lokal në Pejë ka ndodhur një rrahje dhe si pasojë e kësaj rrahjeje tre persona kanë pësuar lëndime trupore, të cilët pas trajtimit mjekësor janë liruar në shtëpi. Për këtë sulm janë dy të dyshuar, të cilët janë të identifikuar nga policia se kush janë, por ende janë në arrati”, tha të hënën, Driton Rugova.

Leotrim Murtezaj, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Pejës në një prononcim për media ka thënë për  se ky akt është sulm ndaj inspeksionit komunal, derisa ka treguar ecurinë e ngjarjes.

“Kam qenë bashkë me një inspektor të ndërtimit dhe dy kolegë të tjerë komunal. Kanë ardhur disa persona, të cilët kanë pasur probleme ligjore me inspektoratin e ndërtimit. Madje, kohën e fundit kemi pasur probleme ligjore me ta edhe për shkak të mbylljes së diskotekës së tyre. Komuna e pat marrë këtë vendim pasi nuk lejohet diskotekë në zonën urbane. Pra, ne jemi ballafaquar verbalisht pak me ta në të kaluarën. Ata duke konsideruar se ne ua kemi bërë qëllimisht, kanë ardhur dje dhe kanë provokuar. Fillimisht na kan gjuajtur me fjalë e pastaj më kanë sulmuar mua me gota të birrës dhe pastaj fizikisht. Për shkak të lëndimeve trupore kamë kërkuar ndihmë mjekësore”, ka thënë ai.

Kurse, në anën tjetër pronari i “Arthur’s Club”, Ardian Qelaj, ka mohuar akuzat që janë bërë ndaj tij se kishte sulmuar drejtorin Murtezaj. Sipas tij, i sulmuari në këtë rast ishte vetë ai duke thënë se ishte kërcënuar nga inspektori tjetër që kishte qenë së bashku me Murtezajn.

Qelaj në një prononcim për Insajderin ka thënë se me Murtezajn ka raporte të mira kurse inspektori tjetër që ishte me të, e kishte kërcënuar atë.

“Leotrimin unë e kam shok të mirë dhe kom raporte të mira me këta por mbrëmë kena qëllu me një lokal të njëjtë dhe dikun nga ora 12:40, jemi përshëndet dhe kemi fol bashkë, dhe një inspektor tjetër që u kanë me të aty më kanë kërcënuar edhe unë jam mundu me largu prej meje, tani dikush tjetër një djalë tjetër i ka sulmu Leotrimin edhe ati tjetrit”, ka thënë Qela për Insajderin.

“Kurse inspektori tjetër, Mentor Beqiri më ka kërcënuar mua dhe më tha ti sem n’gjeh mu, me pas punë me mu tha del puna ndryshe”./Insajderi.com/