Sulmi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ulen dënimet

Sulmi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ulen dënimet

Gjykata e Apelit në Maqedoninë e Veriut ka ulur dënimet me burg për të akuzuarit në rastin “27 Prilli”, njofton Insajderi.

Ish-drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike në vendin fqinj  Mitko Çavkov nga 18 vjet i është ulur dënimi në 16 vjet burg.

Ndërkaq, dënimet me 15 vjet për Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, Munir Pepiq janë ulur në 13 vjet burg.

Abdylfeta Halimit nga shtatë vjet i është ulur dënimi në gjashtë vjet.

Dënimet janë ulur edhe për organizatorët e protestave përmes të cilave u sulmua Kuvendi.

“Gjykata ka konfirmuar aktvendimin e shkallës së parë në pjesën ku nga aktakuza është liruar i akuzuari Igor Durllovski për veprën penale ‘Kërcënim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë të nenit 313 të Kodit Penal’, e ankimuar nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit”, kanë deklaruar nga Gjykata e Apelit e vendit fqinj./Insajderi.com