“Sulmi në veri – mesazh nga strukturat paralele”

“Sulmi në veri – mesazh nga strukturat paralele”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka reaguar për sulmin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në veri të Mitrovicës.

Përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka shkruar se ky sulm është një mesazh i strukturave paralele që funksionojnë në atë zonë që duan të spastrojnë etnikisht shqiptarët e mbetur.

“Duke marrë parasysh se kjo ndodhi natën e pas 17 marsit, ky është mesazh i qartë që këto struktura, që herë janë paralele e herë shfaqen si zyrtare duan që etnikisht të spastrojnë këtë zonë nga shqiptarët e mbetur”, ka shkruar Sveçla, raporton Insajderi.

Sveçla ndër tjera ka thënë se ky është momenti i fundit që institucionet qendrore të angazhohen për banorët që jetojnë në atë pjesë.

“Është momenti i fundit që institucionet qendrore të angazhohen seriozisht e në mënyrë të vendosur që banorëve atje t’iu ofrojnë sigurinë e nevojshme dhe që t’iu sigurojnë kushte për jetë të qetë e prosperuese atje”, ka thënë Sveçla.

Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF), në lagjen “Kodra e Minatorëve”, në Mitrovicë, është sulmuar në mëngjesin e sotëm.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë për Gazetën Insajderi se “objekti është gjuajtur me gurë fillimisht dhe është dëmtuar ku edhe janë thyer xhamat. Është tentuar t’i vihet flakë por nuk është arritur dhe nuk ka të lënduar”.

Deri më tani Hoti bëri të ditur se nuk ka persona të dyshuar lidhur me rastin.

Nuk është hera e parë që kjo Qendër e Mjekësisë Familjare sulmohet, ngjarja e fundit që ka ndodhur është vitin e kaluar. /Insajderi.com