Sulmohet fizikisht noteri Ekrem Nuhiu

Sot në mëngjes para banesës së tij nga një person i panjohur është sulmuar fizikisht Noteri Ekrem Nuhiu, ka bërë të ditur Oda e Noterëve të Kosovës.

Sipas një njoftimi për medie, Oda e Noterëve ka thënë se Nuhiut i janë shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë ka qenë i detyrueshëm edhe intervenimi kirurgjik lidhur me lëndimet e marra në kokë nga goditja me një shufër metalike.

“Oda e Noterëve të Kosovës e dënon këtë veprim të ulët ndaj Noterit Nuhiu dhe konsideron se ky sulm është ndërhyrje direkte në punën dhe pavarësinë e noterëve dhe njëherit kërkon nga organet kompetente që ta zbardhin rastin dhe personin përgjegjes ta sjellin para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Odës së Noterëve. /Insajderi.com