Sulmohet një serb në Artanë – Policia thotë se po punohet të zbulohet e vërteta

Sulmohet një serb në Artanë – Policia thotë se po punohet të zbulohet e vërteta

Të hënën rreth orës 20:00 ka ndodhur një sulm ndaj një serb, 23 vjeçar në fshatin Zabince të Artanës.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit.

“Po punohet intenzivisht të zbulohet e vërteta e këtij rasti”, tha Hashani për Shqip.com, të martën.

Por, Slobodan Peric,  babai i të sulmuarit, Nikolla Peric, po pretendon se e di të “vërtetën”, sipas tij “sulmuesit flisnin shqip”.

Atë e ka cituar media në gjuhën serbe Kosova Online, teksa shprehët i revoltuar që “ia rrahën djalin para derës së shtëpisë”.

“E gjithë familja ime si dhe vendasit janë të mërzitur për këtë sulm. Më thanë dëshmitarët okularë që vrapuan për të parandaluar sulmin se sulmuesit flisnin shqip ”, ka thënë ai

Sipas, medias në fjalë – Peric është plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Gjilanit.

Kosova Online citon “banorët e lagjes”, të cilët thonë se “vetura është ndalur për ta plagosur të riun në kokë dhe trup”.

Gazeta Online Shqip.com, është përpjekur të kontaktojë në Spitalin e Gjilanit. Nuk kishte përgjigje.

Hashani shtoi se njësitet rajonale janë duke e hetuar rastin. /Insajderi.com