Sulmoni të korruptuarit, fajdexhinjtë e vrasësit

Nuk janë të rralla rastet në botë kur qytetarët i kanë sulmuar politikanët e tyre të korruptuar. Me ve e domate. Edhe i kanë hedhur në kontejnerë bërlloku. Pse kjo nuk ndodh në Kosovë? Pse evropianët e rinj e sulmojnë një rome te mjerë? Mediat nuk janë arsyeja

Sulmoni të korruptuarit, fajdexhinjtë e vrasësit

Pas Lipjanit, të premten të rinjtë e Ferizajt e sulmuan një rome që dikush tha që vjedh fëmijë. E thanë edhe disa media. Policia e kishte mohuar këtë informacion prej fillimit.

Kjo gafë i mediave nuk i amniston ato nga ky krim. Por, historia e deritanishme tregon që mediat në Kosovë kanë pothuajse fare pak, ose aspak ndikim në reagime të masave.

Javë më parë pata takuar disa gazetarë amerikanë që po tentonin ta merrnin një fond të madh nga Anglia për të bërë prodhime mediale për regjionin ku bën pjesë edhe Kosova. Atyre në analizë nuk u dilte kurrqysh se si në Kosovë raportohet shumë për korrupsionin e krimin e pandëshkuar, për drejtësinë e kapur e për pasurimin e shpjet të komandantëve të UÇK-së, por nuk ka protesta kundër tyre.

Përgjigja ime ishte e shkurtër: Njerëzit e këtij vendi nuk protestojnë për të se nuk e shohin vetën si pjesë e këtij shteti. Po presin që ta marrin një vizë apo liberalizmin dhe jetën e tyre e projektojnë jashtë këtij vendi. Dhe aspak nuk janë për tu vënë faj.

Nuk janë të rralla rastet në botë kur qytetarët i kanë sulmuar politikanët e tyre të korruptuar. Me ve e domate. Edhe i kanë hedhur në kontejnerë bërlloku. Pse kjo nuk ndodh në Kosovë?

Pse në Kosovë, evropianët e rijnë, njerëzit protestojnë kundër një ministri serb që i ofendon nënat gjakovare? Për demarkacionin me Malin e Zi? Për flamuj e tema të tjera filozofike?

Sepse për to nuk ka asgjë konkrete. Sepse jemi komb primitiv. Ajo se çka shkruajnë shqiptarët e Kosovës nëpër profilet e tyre në rrjete sociale është saktë ajo se çka do të shkruanin disa njerëz të shpellave nëpër muret e banesave të tyre të ftohta, të lagshta e të errëta. Tradhtarë e heronj. UDB-ash e ShIK. Spiunë e patriotë. Ky është pak a shumë zhargoni i tyre, e që të njëjtin e gjen edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, fajësimi i mediave për sulmin që tash për të dytën herë iu bë një gruaje rome nga të rinjtë është njëjtë sikurse sulmi që po i bëhet kësaj gruaje të mjerë: njerëzit e gjejnë një target të butë që nuk ka se si të mbrohet. Tipike sjellje primitive.

Pa dashur që të përfshimë mediat e tjera, vetëm me Insajderin kemi publikuar seri të gjata të aferave të drejtuesve të PDK-së me “Dosja e Shefave”, afera të familjes Rugova me “Dosja Grande”, keqpërdorime masive të qeverisë Haradinaj me luksin  e saj që veç për një vit veç për udhëtime jashtë vendit e mëditje ka arritur në mbi 23 milionë euro. Kemi bërë edhe emisione për këto krime. Sa personazhe negative të këtyre storieve janë sulmuar? Zero!

Por, pse po sulmohet gruaja rome? Sigurt jo për raportim të mediave. Por, thjeshtë, se atë s’ka kush e mbron. Ajo nuk ofron vende pune sikurse personazhet e “Dosja e Shefave”. Ajo nuk mund të të fus në punë në PTK si AAK-ja e Nisma. Ajo nuk mund të ta bëjë një vizë si Ukë Rugova.

Pse nuk po sulmohet as Curri e bastoret e tij? Pse nuk po sulmohen as gjyqtarët që e liruan nga burgu Azem Sylën dhe e shpallën të pafajshëm për korrupsion Sami Lushtakun. Pse nuk po sulmohet as pedofili policë, Vesel Veseli? Pse nuk po sulmohet “Bechet& Enka”? As Pal Lekaj? As KEDS-i? As pronarët e turq të Aeroportit?

Pse nuk po i sulmohet as Kadri Veselin e Xhavit Halitin, me sekserët e dyshuar të tyre, Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi? As biznesmenin Faton Dalladaku që jep ryshfet? Videot i gjeni në Insajderi.

Pse nuk po sulmohet as Sali Mekaj e Enver ‘Sahani’? As Aleksandër Lumezi? as Hashim Thaçi që me paratë e tona e financoi librin e tij privat? As Ramush Haradinaj që i emëroi 80 zëvendësministra? As ata 80 zëvendësministrat e tij?

Pse nuk po sulmohet Komisioni i Veteranëve të UÇK-së që prej 15 mijë i ka bërë mbi 60 mijë veteranë, shumica të rrejshëm? As Bekim Jashari me Bahri Nuredinin për dyshimet e raportuara për ta në afera në Aeroport? As për aferat e raportuara në Kompleksin e Tenderëve “Adem Jashari”?

Pse nuk po sulmohen ministrat, deputetë e kryetarët e komunave me aktakuza e të dënuar për korrupsion? Pse nuk po sulmohen të dënuarit për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra nga Drenasi, përfshirë dy vajza të mitura, e që i fali Presidenti Hashim Thaçi?

Dhe lista është e gjatë. Një pjesë të saj e ndërtova duke kaluar nëpër rubrikën Hulumtime në Insajderi. Listën mund ta bëjë secili.

Por kosovarët nuk do ti sulmojnë këta persona. As që do të protestojnë kundër tyre, se kombet e tilla primitive i nuk i sulmojnë të fuqishmit, por të pambrojturit.

Pra, nëse njerëzit do të sulmonin në Kosovë duke u nxitur nga mediat, klasa politike aktuale do të duhet që të shkonte nga shtëpia në punë me përcille të njësisë speciale dhe autoblinda. Shtëpitë e tyre do të duhej të ishin bunkerë. Jeta e tyre do të duhej të dukej si në filma fantashkencë me zombi. Por është si e aktorëve të Hollywoodit.

Po e sulmoni gruan rome, jo prej mediave, por prej ndjenjës tuaj raciste. Ne që jemi pjesë e këtij kombi e dimë sa racistë jemi. Të paktën ta pranojmë, si fazë e parë që të mund të shërohemi prej saj dikur më vonë.