Supremja konfirmon pafajsinë e të akuzuarve në rastin Kleçka

Supremja konfirmon pafajsinë e të akuzuarve në rastin Kleçka

Gjykata Supreme e Kosovës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë në rastin Kleçka, pasi nuk ka  gjetur shkelje në aktgjykimin e shkallës së parë dhe Apelit për këtë rast ku ndër të akuzuarit është kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj.

Insajderi merr vesh se vendimi është marrë nga Supremja me 12 maj të këtij viti.

“Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë që është parashtruar nga zyra e prokurorit të shtetit, me datë 12 gusht 2016 e parashtruar ndaj aktgjykimit të gjykatës së apelit i datës 26 janar, refuzohet si e pabazuar”, thuhet në këtë vendim që e ka siguruar Insajderi.

Avokati Florim Vertopi ka thënë për Insajderin, se me kaq “merr fund rasti Kleçka”

Në rastin Kleçka ishin të akuzuar Fatmir Limaj, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Arben Krasniqi, Sabit Shala, Refki Mazreku, Behlul Limaj, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj ishin akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë.

Limaj akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.

Vitin e kaluar Gjykata e Apelit pati shpallur të pafajshëm Limajn. /Insajderi.com