Gjykata Supreme përfundimisht ka konstatuar se i dënuari Liridon Uruqi, vrasjen e tani të ndjerit Fatlind Arifi e kishte kryer me dashje dhe jo nga pakujdesia, shkruan Insajderi.
Këtë konstatim, Gjykata Supreme e ka dhënë në aktgjykimin me të cilin ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Uruqit, kundër aktgjykimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të Apelit.
Uruqi akuzohej se në korrik të vitit 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit, pasi kishte nxjerrë armën e tipit “TT”, të njëjtën e kishte repetuar dhe derisa ishte duke e kontrolluar nëse kishte ndonjë plumb në tytë, e kishte prek këmbëzën e cila shkrep predhën më të cilën goditet për vdekje, i ndjeri Arifi, raporton “Betimi për Drejtësi.
Për këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 4 dhjetor 2019 të akuzuarin Uruqi e kishte dënuar me 18 vjet e 6 muaj burgim pasi e kishte shpallur fajtor për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas Themelores, në këtë rast Uruqi kishte vepruar me dashje eventuale, ndërsa mbrojtja mbronte teorinë se deri tek vrasja kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë.
Këtë aktgjykim të Gjykatës në Gjilan e kishte vërtetuar pastaj edhe Gjykata e Apelit.
Sipas këtij aktgjykimi, i dënuari ka mundur edhe të mos ketë pasur qëllimin e vrasjes, por sidoqoftë ai ka qenë i vetëdijshëm se me veprimet e tij krijohet mundësia që të kryhet kjo vepër penale.
“I dënuari me veprimet e veta ka mundur që të mos ketë pasur qëllim shkaktimin e pasojës së caktuar që ka tiparet e veprës së ndaluar e as shkaktimin e saj mirëpo ka qenë i vetëdijshëm se me ndërmarrjen e veprimit krijohet një mundësi e madhe apo një rrezik i madh se do të kryhet vepra dhe do të shkaktohet pasoja të cilën e parasheh si të mundshme. Te dashja eventuale kryesi supozon, me një përqindje të madhe se ajo vepër mund të shkaktohet dhe ai pajtohet me të”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata Supreme ka arsyetuar se nuk qëndron pretendimi i mbrojtjes se të dënuarit se vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia, pasi nga dëshmitarët, ekspertiza balistike, psikiatrike dhe raporti i vendit të ngjarjes ishte vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit kishte ekzistuar dashja eventuale.
Ndryshe, Prokuroria e Gjilanit fillimisht Uruqin e ngarkonte me tri vepra penale, për vrasje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje./Insajderi.com