Supremja merr vendim që të përsëritet votimi nga jashtë në Dragash

Supremja merr vendim që të përsëritet votimi nga jashtë në Dragash

Procesi i votimit nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 15 nëntor në Dragash, do të përsëritet, përcjell Insajderi.com.

Këtë vendim e ka marrë Gjykata Supreme e Kosovës, e cila ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që brenda kornizës ligjore të organizojë përsëritjen e votimit nga jashtë në këtë komunë.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet ndër tjera në aktgjykim.

Vendimi i Supremes për përsëritjen e procesit të votimit nga jashtë në Dragash.

Tutje, Supremja në aktvendim ka treguar se është refuzuar kërkesa e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar komune të Dragashit, Behxhet Xheladini, që votat nga jashtë të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve në raundin e dytë, më 15 nëntor.

Sipas Supremes, mbetet në fuqi vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për moscertifikimin e rezultatit përfundimtar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Dragash.

Vendimi i Supremes për përsëritjen e procesit të votimit nga jashtë në Dragash.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të balotazhit në Dragash pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar komune.

Ky vendim ka ardhur pasi që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, ka bërë ankesë në PZAP sepse kishte pretenduar se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka pasur manipulime në votat me postë të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve”.

Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, kandidati i PDK-së kishte fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash me 50.21 për qind të votave, apo pesë mijë e 648 vota, duke lënë pas kandidatin e LDK-së, i cili kishte 49.79 për qind apo pesë mijë e 601 vota./Insajderi.com