Supremja refuzon kërkesën e Todosijeviqit për përjashtimin e gjyqtarëve në rastin e tij

Supremja refuzon kërkesën e Todosijeviqit për përjashtimin e gjyqtarëve në rastin e tij

Kërkesa e ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lista Serbe, për përjashtimin e kolegjit të Gjykatës së Apelit në rastin e tij, është refuzuar nga Gjykata Supreme, transmeton Insajderi.

Lajmin për refuzimin e kërkesës në fjalë, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Ivan Todosijeviq përmes mbrojtësit të tij, avokatit Nebojsha Vlajiq, në prill të këtij viti kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, përkatësisht përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve shqiptar.

Në këto rrethana, seanca e paraparë të mbahej në Gjykatën e Apelit me 28 prill 2021 ishte shtyrë, derisa kryetari i kësaj gjykate të vendoste për kërkesën në fjalë, e cila tashmë është refuzuar. /Insajderi.com