Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga Kryeprokurori i Shtetit, ndaj vendimeve të gjykatës me të cilat kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte liruar nga akuza për veprën penale të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore, transmeton Insajderi.
Ky vendim është marrë nga kryetarja e trupit gjykues, Nesrin Lushta me anëtarë Mejreme Memaj dhe Rasim Rasimi.
Siç raporton ‘Betimi për Drejtësi’, Supremja ka argumentuar se pretendimet e Kryeprokurorit të Shtetit se aktvendimet e Gjykatës së Pejës dhe Apelit për hudhjen e akuzës ndaj Muhaxherit, ishin marrë në shkelje esenciale dhe shkelje të ligjit penal, ishin të pabazuara.
Gjykata Supreme ka theksuar se Prokuroria me asnjë provë nuk ka argumentuar shkeljen e ligjit penal, e cila do të vërtetonte dyshimin e bazuar mirë se Gazmend Muhaxheri, ka kryer veprën penale të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Në kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë pretendohet se gjykata nuk mund të thirret në dy baza ligjore kumulative për lirimin e të pandehurit, siç ka vepruar Gjykata e Pejës, duke e liruar Muhaxherin me arsyetimin se në veprimet e të pandehurit nuk ka vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftushme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale.
Në këtë kërkesë, poashtu pretendohet se gjykata nuk i kishte dhënë mundësi Prokurorisë dhe palës së dëmtuar, që në fazën e shqyrtimit kryesor, të parashtrojnë argumentet e tyre.
Në anën tjetër, Supremja përkitazi me pretendimin e parë, ka theksuar ishte e vërtetuar fakti se aktakuza ndaj Muhaxherit ishte hedhur mbi dy baza ligjore, mirëpo sipas Supremes ky fakt, nuk ndikon në ligjshmërinë e aktvendimeve që kanë liruar Muhaxherin nga aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mirëpo, sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kjo shkelje nuk i bën aktvendimet e paqëndrueshme në aspektin ligjor sepse kemi të bëjmë me shkelje të natyrës relative, pa ndikim në ligjshmërinë e aktvendimeve”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Kurse sa i përket pretendimeve se Prokuroria nuk ka patur mundësi të parashtrojë provat, Supremja konsideron se jo çdo aktakuzë e ngritur duhet të shqyrtohet në shqyrtim kryesor.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, parimi akuzator nuk përcakton që sipas çdo akuze të ngritur duhet të caktohet shqyrtimi kryesor, ngase ky kod ka paraparë kontrollin gjyqësor të akuzës para se ajo të paraqitet në shqyrtim kryesor, me qëllim të evitimit të procedurave sipas akuzave të pabazuara dhe të paligjshme”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Supremja thekson se Gjykata e Pejës nuk kishin bërë shkelje të ligjit penal kur kishte ardhur në përfundim për hedhjen e aktakuzës ndaj të pandehurit Gazmend Muhaxheri, pasi sipas Supremes i dëmtuari ishte ftuar të paraqitet në vendin e punës.
“Bazuar në provat e lartëcekura, veçanërisht, faktin se i dëmtuari është kthyer në vendin e punës, ani pse në një pozitë tjetër, kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret veprimet e të pandehurit nuk hyjnë në sferën penale ngase nuk mund të konkludohet se ka refuzuar ekzekutimin e vendimit gjyqësor, ashtu siç përcaktohet në dispozitën e nenit 402 par.1 të KPPK-së”, thuhet në arsyetimin e Supremes. /Insajderi.com