Surroi vazhdon ta mbrojë Krasniqin, e quan gjykim politik procesin ndaj hoxhës

Surroi vazhdon ta mbrojë Krasniqin, e quan gjykim politik procesin ndaj hoxhës

Publicisti Veton Surroi ka publikuar një tjetër shkrim autorial, përmes të cilit shpreh dyshimet e tij ndaj aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundrejt ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Surroi, i cili të shtunën publikoi shkrimin e parë autorial ku i dilte në mbrojtje Krasniqit, të dielën ka publikuar një tjetër shkrim të tillë ku mbron ish-imamin e Xhamisë së Madhe dhe shpreh pakënaqësi për aktakuzën e ngritur nga prokuroria kundër hoxhës.

Përmes opinionit të titulluar “Mbrojtja nga ‘idiotët’ dhe gjykimi politik” dhe të publikuar në portalin Koha.net, Surroi pretendon se aktakuza e ngritur ndaj Shefqet Krasniqit është më shumë e bazuar në baza morale se sa në fakte të drejtëpërdrejta.

Për këtë, Surroi në mënyrë ironike sugjeron që shteti i Kosovës të formojë një “Polici Morale”, e cila sipas tij do të vlerësonte tonalitetin e gjuhës dhe interpretimet e duhura të ajeteve uranore.

“Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e vet, ka ndërmend të japë prova se si dr.Shefqet Krasniqi, si imam i Prishtinës, ka qenë në mënyrë të tërthortë shtytës i terrorizmit. Dhe, për ta bërë këtë, do të shërbehet me nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës, nen i cili në kohët e komunizmit do të quhej ‘nen i gomës”, apo i “llastiktë’, sepse mund ta lakosh e ta zgjatësh si të duash. Në të thuhet: ‘Kushdo që shpërndan, ose në ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet’”, shkruan Surroi.

“Pra, dr. Shefqet Krasniqi do të duhej të shkonte në burg, një deri në pesë vjet, nëse prokuroria e bind gjykatën se ai mundësoi ‘mesazhin për publikun, me qëllim të shtytë kryerjen e aktit terrorist’ dhe këtë e bëri ‘pavarësisht nëse avokon drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste’”, shprehet ai.

Sipas Surroit, autoritetet e shtetit të Kosovës përmes kësaj aktakuze të ngritur ndaj Krasniqit ka tentuar të shpërfaq një “demokraci efikase” dhe “shoqëri zhvillimore”.

“Me gjasë, qëllimet politike, atë të paraqitjes së Kosovës si një demokraci efikase dhe shoqëri zhvillimore, pasqyrë të cilën po e prishin një hoxhë (me gjuhë të vrazhdë interpretimesh jashtë kontekstit kohor të ajeteve kuranore) dhe një grup me të meta mendore, i quajtur “idiot”, janë vënë në plan të parë në gjykimin e dr.Shefqet Krasniqit”, ka shkruar Surroi.

Në shkrimin e parë autorial rreth kësaj çështje, Surroi kishte thënë se Shefqet Krasniqi është i pafajshëm për aktakuzën me të cilën e ngarkon Prokuroria, për shkak të mbrojtjes së lirive fondamentale, sipas tij fajtor në masë të madhe është shteti i cili e akuzon atë.

Sipas Surroit thellësia teologjike dhe intelektuale e Krasniqit, mund të kuptohej lehtë në përgjigjen që ia dha një besimtari se ku e kishte vendin Nëna Terezë.

“”Në Xhehnem”, tha ai me vendosmërinë e njeriut që i di gjërat e ardhmërisë me siguri të plotë. Nëna Terezë, sipas dr. Krasniqit, e kishte vendin në Xhehnem (Ferr), sepse nuk e kishte pranuar “Allahun e plotë” , pra Allahun që nuk ka djalë të vetin (siç është rasti me Allahun e Nënës Terezë, i cili kishte djalë Jezu Krishtin). Ajo, sipas dr. Krasniqit, i ka pasë “të tanat. Me hangër çka don, me pi çka don, burra sa të don me ndërru…”, por megjithatë nuk e pranoi Allahun dhe tanimë do të jetë në Ferr”, shkruan ai.

Surroi shkruante se ekzistoi një ndërlidhje e natyrshme mes dy fenomeneve: predikimit jotradicional të Krasniqit e shokëve të tij dhe rritjes brengosëse të numrit të rekrutëve të rinj shqiptarë në ISIS dhe Al-Nusra.

Kjo ndërlidhje sipas Surroit nuk do të befasonte me lajmin se u ngrit aktakuzë ndaj Krasniqit për shtytje për kryerjen e veprave terroriste. Por sipas tij me leximin e aktakuzën kuptohet se Krasniqi është i pafajshëm për këtë akuzë.

“Në aktakuzën kundër Krasniqit nuk ekziston as edhe një dëshmi me të cilën do të vërtetohej se ai ka ftuar ndokënd të kryejë akte terroriste. Nuk ekziston një dëshmi nga ligjëratat e tij publike e as ekziston dëshmi nga përgjimet elektronike. Përkundrazi, në provat e deklarimit të tij publik ekzistojnë prova se ka thënë se “nuk është farz (obligim fetar) me shku në Siri” dhe se “të rinjtë tanë nuk kanë obligim me shku në Siri”, shkruan ai.

Surroi thoshte se Prokuroria pranon se nuk ka prova për thirrje të drejtpërdrejtë të Krasniqit për veprime terrorizmit, por cek se ka prova për veprim të zhdrejtë të tij në fjalimet publike.

Të hënën e 27 shkurtit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër të pandehurit Shefqet Krasniqi, për veprat penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, si dhe “shmangia nga tatimi”. /Insajderi.com