Suspendohet drejtori i Sekretariatit të KPK-së

Suspendohet drejtori i Sekretariatit të KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, njofton Insajderi.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

“(KPK), pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit (SKPK), Lavdim Krasniqi, me dyshimin për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Ushtrimi i ndikimit’, dhe ‘Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Sekretariati i Këshillit Prokurorial të martën ka marrë vendim për suspendimin e një zyrtareje të Sekretariatit, si e dyshuar për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

“Me qëllim të vazhdimit të funksionimit të administratës së sistemit prokurorial në përgjithësi, KPK-ja po sot caktoi Ushtrues të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Valdrin Krasniqin – Udhëheqës i Zyrës Ligjore”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com