Suspendohet një zyrtar korrektues në Prishtinë, dyshohet se shpërndante lëndë narkotike

Suspendohet një zyrtar korrektues në Prishtinë, dyshohet se shpërndante lëndë narkotike

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ka suspenduar nga puna njërin nga zyrtarët, pasi i njëjti dyshohet se ka tentuar të fusë substancë të dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, shkruan Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, lidhur me rastin është njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë për intervistim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës në vazhdën e luftimit të dukurive negative brenda institucioneve korrektuese, sot rreth orës 11:40 në bazë të informacioneve paraprake ka arritur të parandaloi futjen e substancës së dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë.

Me të pranuar informatat se një zyrtar korrektues dyshohet për shpërndarje të lendeve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Tutje, bëhet e ditur se policia ka konfiskuar substancën e dyshuar narkotike për ekzaminim të mëtejmë, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë e brendshme disiplinore./Insajderi.com