Suspendohet zyrtari policor që kujdesej për sigurinë në AUV

Suspendohet zyrtari policor që kujdesej për sigurinë në AUV

Një zyrtar policor i cili kujdesej për sigurinë në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është suspenduar nga puna, njofton Insajderi.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e këtij zyrtari policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Hetuesit e IPK-së i kishin pranuar informacionet e para lidhur me këtë rast nga Policia e Kosovës, për rastin e vjedhjes në objektin e AUV-it, ku sipas marrëveshjes së përbashkët ndërmjet PK-së dhe AUV-it zyrtarët policorë në punë sekondare bëjnë sigurimin e objektit në fjalë.

“Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të”.

“Zyrtari policor, tashmë i suspenduar, që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i besimit’”, thuhet tutje në njoftimin e IPK-së. /Insajderi.com