Sveçla: Aksioni në Karaçevë i suksesshëm

Sveçla: Aksioni në Karaçevë i suksesshëm

“Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës”.

Kështu e ka cilësuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aksionin e Policisë së Kosovës në Karaçevë, të mërkurën.

“Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaqevë”, ka shkruar Sveçla.

“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto moment”, vazhdoi ai.

Çka ka ndodhur në Karaçevë?

Disa persona janë arrestuar dhe disa kazino janë rrënuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, i cili filloi mëngjesin e kësaj të mërkure dhe po vazhdon akoma.

Kështu kanë konfirmuar për Shqip.com nga Policia e Gjilanit, megjithatë nuk kanë bërë të ditur se sa është numri i tyre.

“Ka të arrestuar, por nuk mund të flasë më shifra. Ka edhe disa kazino ilegale që janë rrënuar. Aksioni është në proces. Jemi duke punuar në vend të ngjarjes”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovbës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Shqip.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Gjilanit, Kadri Rrahimaj, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Një operacion tjetër i Policisë dhe Prokurorisë i njohur si rasti “Karaçeva” është zhvilluar në shtatorin e vitit të shkuar, në fshatin Karaçevë.