Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është arrestuar veterani i ushtrisë serbe, Sinisha Jevtiq.
Sveçla, përmes një postimi në Twitter, tha se Jevtiq, menjëherë pas hyrjes në Kosovë, për t’u bashkuar protestave në veri është arrestuar.
“Menjëherë pas hyrjes në Kosovë për t’iu bashkuar trazirave të dhunshme, veterani i ushtrisë serbe Sinisha Jevtic u arrestua. Ai ishte shoqëruar në kufirin e Kosovës nga deputeti ultra-nacionalist serb Erak Strahinja, nga një parti pro-ruse e ekstremit të djathtë”, ka shkruar ai.
“Në luftën e Kosovës, ai po ashtu kishte luftuar në Koshare. Ai me krenari mban medaljet e Kasapit të Ballkanit, Millosheviqit. Para se të vinte në Kosovë, ai shpërndante broshura te veteranët për t’i mobilizuar për ‘çlirimin final të tokës së shenjtë’”, tha Sveçla.
“Jevtiq identifikohet si serb dhe si rus, dhe hapur mbështetë agresionin rus në Ukrainë me simbolin Z”, vazhdon ai.