Sveçla dhe drejtori i Policisë nuk raportojnë para Komisionit për Siguri, përplasje verbale edhe me deputetët

Sveçla dhe drejtori i Policisë nuk raportojnë para Komisionit për Siguri, përplasje verbale edhe me deputetët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, janë larguar nga salla e mbledhjes ende pa filluar raportimi para Komisionit Parlamentar për siguri dhe çështje të mbrojtjes, përcjell Insajderi.com.

Teksa po largoheshin, Sveçla dhe Mehmeti, kishin përplasje verbale me disa nga deputetët që janë anëtarë të këtij Komisioni.

Sveçla duke debatuar me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Siguri

Kurse, kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, tha se ata janë ftuar secili veç e veç e jo së bashku, gjë që e kundërshtuan ministri dhe drejtori.

“Mos më shit mend ti mu këtu”, i tha Berisha – Sveçlës.

Tutje, Berisha i është drejtuar Sveçlës me akuzat se “ti ke bërë gabime të mëdha, nuk je i zoti të përgjigjesh pa e pasur atë aty (drejtorin e Policisë)”.

Kurse, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, i ka thënë Sveçlës se ftesën e kanë pasur që vetëm ai do të jetë pjesëmarrës, ky i fundit thotë se e ka marrë ekipin pasi punon me ta.

Po ashtu, mbledhjen e kanë lëshuar edhe një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Komisionit tha se ka pasur disa pyetje për ministrin, dhe se ai nuk do të guxonte të përgjijgej, teksa tregon se mbledhja është thirrur për situatën në Veri të Kosovës.

“Kjo mbledhje është thirrë për situatën në veri. Unë kam pyetje për ministrin qe nuk guxon me u përgjigj. Fatmir po i lexoj pyetjet, pse me barazu njësinë speciale me strukturat e Serbisë? A e din që zëvendësimi i policisë me KFOR-it është kthim i rezolutës 1244. Pranimi i targave KM është hapi i parë drejt Zajednicës. Kom pas plot pyetje edhe për drejtorin e policisë”, ka thënë ai.

Me këto deklarata dhe disa të tjera të deputetëve anëtarë, ka përfunduar mbledhja e Komisionit./Insajderi.com