Sveçla: I arrestuari në Veri drejtues i Mbrojtjes Civile, organizoi sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se është arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e “Mbrojtjes Civile”.

Sipas Sveçlës, ai ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 29 maj.

Sveçla ka thënë se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka shkruar Sveçla.