Sveçla: Katër nga të kthyerit nga Siria janë fëmijë

Sveçla: Katër nga të kthyerit nga Siria janë fëmijë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të hënën se Qeveria e Kosovës më 17 korrik, e ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kthyer 11 shtetas kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri, katër prej të cilëve janë fëmijë.

Në një konferencë për media, Sveçla tha se “falë nivelit të lartë profesional të institucioneve të vendit ky proces është realizuar karshi parametrave”.

“Si ministër do të doja që të gjithë personat që kanë marrë pjesë në luftimet që kanë kryer krime të dalin para drejtësisë. Qeveria mbetet e përkushtuar në shërbimin ndaj qytetarëve të vet” u shpreh ai.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se nga 11 personat që janë kthyer nga Siria, gjashtë prej tyre janë burra, një grua dhe katër fëmijë.

Ai tutje bëri të ditur se deri më tani janë kthyer 253 persona nga Siria.

Mehmeti tregoi që ende ka qytetarë vendas që qëndrojnë atje, mirëpo nuk bëri të ditur numrin e tyre pasi që tha se të dhënat janë duke u përpunuar./Insajderi.com