Sveçla nga Kroacia: 26 bashkëqytetarë do të lirohen nga spitali sot

Sveçla nga Kroacia: 26 bashkëqytetarë do të lirohen nga spitali sot

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se 26 pacientë të cilët po trajtohen në spitalin e Slavonski Brod në Kroaci të cilët i kanë mbijetuar aksidentit tragjik, pritet të lirohen gjatë ditës së hënë, përcjell Insajderi.

Sveçla, që po qëndron në Kroaci, po ashtu ka bërë të ditur se pacientët po marrin tretmanin e nevojshëm si dhe ka shtuar se trajtimi nga stafi mjekësor është shumë në nivel.

“Të inkurajuar me përmirësimin e gjendjes së tyre pasi vërehej përkujdesje maksimale e gjithë stafit mjekësorë, kuptuam se tashmë 26 bashkëqytetarë tanë gjatë ditës lirohen nga spitali. Nga 16 pacientë të lënduar më rëndë për të cilët trajtimi spitalor vazhdon, dy janë në kujdes intensiv me njërin nga ta në gjendje stabile”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri ka shtuar se tani po punohet për rikthimin e bashkatdhetarëve nga spitali si dhe kthimin e kufomave tek familjet e tyre.

“Tashmë po punohet për kthimin e bashkatdhetarëve të liruar nga spitali si dhe kthimin e kufomave te familjet e tyre, në vend të tyre. Edhe njëherë duhet falënderuar shtetin kroat e gjithë zyrtarët e angazhuar për përkujdesjen shembullore në këtë tragjedi”.

Një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci dhe duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa dhjetëra të tjerë janë lënduar./Insajderi.com