Sveçla nga Kroacia: Disa pasagjerë do të nisen për Kosovë, disa do të kthehen në Gjermani

Sveçla nga Kroacia: Disa pasagjerë do të nisen për Kosovë, disa do të kthehen në Gjermani

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se disa prej udhëtarëve të aksidentuar në Kroaci do të nisen për në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe disa do të ktheheshin në Gjermani.

Ai ka deklaruar se e gjithë ndihma e nevojshme është dhënë për të përfshirët në aksidentin fatal të së dielës.

“Tani po koordinojmë që të gjithë njerëzit të kthehen në Kosovë apo në Gjermani ata që duan. Po e koordinojmë krejt situatën që t`i dërgojmë edhe trupat e viktimave në Kosovë”, ka thënë ai.

Sa i përket kthimit të trupave të pa jetë, Sveçla tha se kjo varet nga procedurat zyrtare që duhet të kryhen në Kroaci.

Ndërsa, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë bërë të ditur se 26 persona të lënduar nga aksidenti i djeshëm në Kroaci, janë në proces të lirimit nga spitali kroat ku po trajtohen.

Sipas kësaj ministrie, trajtimin mjekësor në spital do ta vazhdojnë 15 persona, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile./Insajderi.com