Sveçla: Nuk aplikojmë në Interpol këtë vit

Sveçla: Nuk aplikojmë në Interpol këtë vit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Kosova nuk do të aplikojë në Interpol gjatë këtij viti, njofton Insajderi.com.

Ai thotë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që nga viti i ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare të sigurisë.

Duke folur për vendimin lidhur me Interpol-in këtë vit, Sveçla thotë se janë duke bërë përgatitjet e duhura që vitin e ardhshëm Kosova përfundimisht të jetë pjesë e organizatës, gjë që sipas tij, do të bëjë që lufta kundër krimit të jetë më efikase dhe më e lehtë.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, ka thënë ai për KP.

“Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, thotë me tej Sveçla.

Nga 4 shtatori I vitit 2021, ka përfunduar moratoriumi që ndalon Kosovën të kandidojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe për të lobuar për njohje të reja. /Insajderi.com