Sveçla: Nuk ishte takim për kafe, ishte darkë pune

Sveçla: Nuk ishte takim për kafe, ishte darkë pune

Xhelal Sveçla, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë edhe deputeti i kësaj partie në Legjislaturën e VII-të të Kuvendit të Kosovës sonte tregoi në një intervistë ekskluzive për  takimin e tij me i ashtuquajturi drejtor i Zyrës Serbe për Kosovë, Marko Gjuriqin, shkruan Gazeta Insajderi.

Sveçla, për të gjithë ata që e kanë kritikuar për takimin me Gjuriqin, ka thënë se ky nuk ishte takim për kafe por sipas tij ishte darkë pune në hotelin ku mbahej konferenca.

“Takimi nuk ishte për kafe, ishte darkë pune në hotelin ku mbahej konferenca. Ishte çështje protokolli. Nuk mendoj që kjo do të duhej të ndikojë në qasjen tonë. Për mua më me rëndësi është se çfarë qëndrimi politik kemi pasur se sa kush ku është ulur”, ka thënë ai.

Sveçla, mes  të tjerash ka treguar se çka ka folur në atë tavolinë.

Ai ka thënë se e ka potencuar faktin që serbët e kanë mohuar masakrën e Reçakut dhe gjithë gjenocidin e bërë në Kosovë.

“U thash në fytyrë. E potencova faktin e mohimit të masakrave dhe gjenocidit në Kosovë, dhe ju thashë se këto janë deklarata kriminale të tyre. Unë iu thash se jam vetë dëshmitar i masakrës së Reçakut”, është shprehur ai.

Përveç kësaj, Sveçla ka thënë që kjo nuk ka qenë herë e parë që Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pjesë në një konferencë të tillë dhe po ashtu nuk do të jetë as hera e fundit.

Por, sa i përket reagimeve të shumta për takimin e tij me Gjuriqin, Sveçla ka thënë se është moment i veçantë i krijimit të Qeverisë Kurti.

“Mendoj që jemi në një moment më të veçantë, jemi para themelimit të qeverisë ku kundërshtarët politikë janë më të etur për të luftuar qeverinë e ardhshme Kurti. Kjo nuk është befasi, ne gjithmonë kemi qenë të luftuar nga ta, herë përmes medieve e herë përmes burgut”, ka theksuar Sveçla./ Insajderi.com