Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe “në asnjë rast dhe rrethanë të mos ndezin zjarre”, përndryshe siç ka thënë ai, do të jenë të pa-kompromis.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se kanë hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, përcjell Insajderi.
Ndërsa, Sveçla ka bërë të ditur se po vazhdon hetimi edhe për raste tjera të dyshimta.
“Që nga e premtja zjarret kanë kapluar disa lokacione në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme ka aktivizuar menjëherë Qendrën Operative e cila aktualisht është duke koordinuar të gjitha veprimet e ekipeve reaguese në terren”.
“Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i janë duke punuar me kapacitete të plota për të shuar vatrat e zjarrit, duke bërë çmos për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në këto lokacione”, ka shkruar ndër të tjera ministri.
Gjatë së hënës, Sveçla ka njoftuar se ka pasur vatra aktive të zjarrit në këto komuna:
Suharekë: Bukosh, Krushicë, Gjinovc, Reqan, Shirokë, Dubravë dhe Vraniq
Gjakovës: Nec dhe Babaj të Bokës
Prizren: bjeshkët e Oshllakut
Pejë: Shtupeq
Malishevë: Kravasari
Artanë: Parallovë
Mitrovicë e Veriut: Kushtovë e Vllahisë
Zveqan: Rudinë
Zubin Potok:Bube
Fushë Kosovë: Kozmin
Ndryshe, në disa lokacione në Suharekë zjarri ka shpërthyer tash e disa ditë. Ndaj, të martën Kryeministri Albin Kurti ka vizituar këtë komunë për t’u njoftuar nga afër lidhur me gjendjen e krijuar. Ai është pritur në takim nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj./Insajderi.com