Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën pritet të vijë grupi i tretë me 131 shtetas nga Afganistani, njofton Insajderi.com.
Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se ata vijnë këtu me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së dhe se do të strehohen përkohësisht në Kosovë.
“Pas kërkesës zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, për strehimin e përkohshëm të shtetasve afganë, të cilëve u rrezikohej jeta sepse ishin bashkëpunëtor të ShBA-së apo të NATO-s, Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’u ofrojë atyre strehim dhe mbrojtje të përkohshme në Kosovë”.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë dy vendime, atë për mbrojtje të përkohshme të shtetasve afganë të cilët kanë punuar apo kanë ndihmuar SHBA-të dhe janë subjekt i trajtimit për viza speciale për emigrant dhe atë të cilët do të strehohen në vendet e tjera”, ka thënë ai.
Po ashtu, Sveçla konfirmoi se shtetasit afganë të cilët kanë ardhur në Kosovë, kanë shërbyer për ShBA-në dhe NATO-n, gjatë shërbimit të tyre në Afganistan.
Ai shtoi se të martën pas mesnate në Kosovë ka ardhur edhe grupi i dytë me 113 shtetas afganë, të cilët më pas janë strehuar në ish-kampin e “Bechtel Enkas” në Ferizaj.
“Tashmë ne kemi arritjen e dy grupeve, të shtetasve afganë. I fundit ka qenë mbrëmë pas mesnate, ku 113 shtetas afganë, bashkëpunëtor të NATO-s së bashku me familjarët e tyre kanë ardhur. Kanë ardhë, janë proceduar sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës dhe janë strehuar apo akomoduar në ish-kampin e ‘Bechtel&Enkas”.
“Sot do të kemi një fluturim të ri me 131 shtetas afganë, prapë bashkëpunëtor të NATO-s, të cilët si në rastet e mëhershme do të procedohen sipas ligjeve të Kosovës”, ka shtuar më tutje Sveçla.
Ministri Sveçla shtoi se asnjë nga shtetasit afgan nuk ka rezultuar pozitiv në testet e bëra për Covid-19./Insajderi.com