Sveçla thotë se aksioni i sotëm është i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë

Sveçla thotë se aksioni i sotëm është i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi të mërkurën se para se të fillonin aksionin që u zhvillua në veri, janë koordinuar me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.

Para mediave, theksoi se aksioni në Veri të Mitrovicës i zhvilluar kundër kontrabandës së mallrave, është iniciuar nga një shërbim aleat.

Po ashtu, ritheksoi se operacioni nuk i është drejtuar kundër asnjë nacionaliteti, por “ka qenë puro kundër kontrabandës, e cila është plagë për shtetin e Kosovës”.

Veriu i Kosovës

“Është një shërbim aleat që ka iniciuar këtë rast dhe kemi bashkëpunuar me ndërkombëtarët. Nuk bëhet fjalë për ndonjë aktivitet drejtuar komunitetit serb në Kosovë. Pronari i barnatores ku ka pasur kontrabandë të niveleve të larta dhe ku hetuesit janë sulmuar, është shqiptar që është në kërkim”.

“Nuk mundet as Vuçiq e as askush ta mbrojë Besim Zeqirin nga ligji i Republikës së Kosovës. Është barnatorja se ka ndodhur 20 metra në këtë anë apo këtë anë është irelevante. Ne do të vazhdojmë në zbatimin e ligjit kudo në Kosovë”, u shpreh ministri Sveçla në konferencë për media.

Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Kosovës nisi një aksion në nivel vendi kundër kontrabandës së mallrave.

Aksioni kishte përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.

“Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit.

Serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.

Veriu i Kosovës

Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit./Insajderi.com