Sveçla thotë se në veri janë të përfshirë në krim shqiptarët, serbët dhe boshnjakët

Sveçla thotë se në veri janë të përfshirë në krim shqiptarët, serbët dhe boshnjakët

“Veriu i Kosovës ishte “El Dorado” për kriminelët gjatë 20 vjetëve të kaluara, që janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër e popullsisë.

Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa ishte duke folur për tensionet e 31 korrikut në veri të Kosovës.

Sveçla tha se në veri, në krim janë të përfshirë, serbët, shqiptarët dhe boshnjakët.

“Ajo zonë ishte si “El Dorado” për kriminelët. Disa kriminelë janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale. Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por sjelljet e tyre banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje” – tha Sveçla.
Barrikadat në veri/ 31 korrik dhe 1 gusht 2022
Ai theksoi se serbët kanë edhe mbështetje politike për aktivitetet e tyre kriminale, duke përmendur kështu lidhjet e forta mes presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojçiq.

“Radoiçiq është një person që gëzon mbështetjen publike jo vetëm të Serbisë, por edhe të disa përfaqësuesve politikë të Kosovës, por në të njëjtën kohë është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së tij në krimin e organizuar. Kemi shumë dëshmi se ai ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Zyrtarë të Listës Serbe kanë thënë se Radoiçiq ka qenë në barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht dhe se ka qenë organizator dhe mbrojtës i këtyre barrikadave. Kjo do të thotë se ne kemi prova të mjaftueshme për aktivitetet e tij kriminale”.

“Kur e analizojmë sigurinë në veri, do ta kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për krizën e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit, që karakterizohet nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku kanë ndodhur në kontinuitet vepra të ndryshme kriminale dhe të pandëshkueshme” – tha Sveçla në një intervistë për N1.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, jemi përballur me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje multinacionale. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, ato përbëheshin nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, theksoi ai.

Xhelal Sveçla tha ndër të tjera se autoritetet e Serbisë nuk po bashkëpunojnë aspak për ta sjell Milan Radojçiqin para drejtësisë.

Ai foli edhe rreth vendimit për lëshimin e dokumentit shtesë të hyrje – daljeve.

“Nuk do të thotë se qytetarëve të Serbisë do t’u hiqen dokumentet, por do t’u jepet një letër shtesë, siç tha ai, një procedurë jashtëzakonisht e shkurtër.

Një procedurë që zgjat tre, katër sekonda më shumë se procedurat aktuale dhe ai dokument do të jetë i vlefshëm për 90 ditë. “Çfarë është kaq tragjike që ata të kenë një situatë të vështirë”, pyeti Sveçla..

Çështja e targave dhe dokumenteve të hyrjes, nënvizoi Sveçla, nuk janë objekt i diskutimeve me palën serbe.

“Për shembull, çfarë do të doja?” Do të doja të mos kishim fare dokument hyrje-dalje. Por Serbia ka 11 vite që i ngacmon me dokumente qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i lënë të presin me orë të tëra për t’u pajisur, qoftë edhe me një tarifë shtesë”, u shpreh ai.

Theksojmë se për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, i cili do hynte në fuqi më 1 gusht, serbët lokalë në Kosovë, më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në veri të vendit kishte ngritje të tensioneve ku pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut pati zhvilluar një takim me përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së.

Me kërkesë të tyre, Qeveria vendosi të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Ndërsa, më 1 gusht, Qeveria nisi zbatimin e vendimit.

Pas heqjes së barrikadave, pasditen e 1 gushtit Qeveria ndaloi së zbatuari masën e reciprocitetit me Serbinë./Insajderi.com