Sveçla: Vendimi i sotëm s’ka të bëjë me mini-shengen, por me nisma në kuadër të procesit të Berlinit

Sveçla: Vendimi i sotëm s’ka të bëjë me mini-shengen, por me nisma në kuadër të procesit të Berlinit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se vendimi në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, nuk ka të bëjë fare me mini-shengenin, por me nisma në kuadër të procesit të Berlinit, ku Kosova duhet të jetë palë e barabartë, njofton Insajderi.

Sveçla me anë të një postimi në Facebook thotë se procesi i Berlinit është ide e nismë e Kancelarës gjermane Angela Merkel, ndërsa zona mini-shengen është ide e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-shengen, por ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë. Procesi i Berlinit është ide dhe nismë e Kancelarës Merkel, kurse zona mini-shengen apo më saktë Novi Sad është ide e Vuciq dhe mbështetet nga ai”, ka shkruar Sveçla.

“Qeveria e Kosovës mbështet bashkëpunimin rajonal mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit mes palëve”, ka shkruar më tej ai.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.

Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka kritikuar ashpër vendimin e sotëm të Qeverisë Kurti për të nisur zbatimin e marrëveshjes ballkanike të iniciuar vite më parë nga procesi i Berlinit për lëvizjen e qytetarëve mes vendeve të rajonit.

“Kur kishte nisur kjo iniciativë e cila Kosovën nuk e trajton barabartë me vendet tjera, Albin Kurti e kishte quajtur ‘Jugosllavi e re’”, ka thënë Hoxhaj. /Insajderi.com