Sveçla vizitë zyrtare në Francë – diskutohet për liberalizimin e vizave dhe luftën kundër krimit e korrupsionit

Sveçla vizitë zyrtare në Francë – diskutohet për liberalizimin e vizave dhe luftën kundër krimit e korrupsionit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron  në një vizitë zyrtare në Republikën e Francës, ku është takuar me Drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, ambasadorin, Frederic Mondoloni, shkruan Insajderi.

Në komunikatën e dërguar për media thuhet se ministri Sveçla e falënderoi  Mondoloni, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria franceze si një partner i afërt dhe strategjik i Kosovës, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme e Francës për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Ministri Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore, si dhe kërkoi edhe më tej përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, për të forcuar kështu luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Tutje është shkruar se “padyshim se theks të veçantë i’u kushtua edhe rëndësisë së liberalizimit të vizave, duke ritheksuar kërkesën që qytetarët e Kosovës të mos mbeten qytetarët e vetëm të izoluar në Ballkan”.

“Ambasadori Frederic Mondoloni, rikonfirmoi vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore”, vijon njoftimi./Insajderi.com