Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar lidhur me çmimet e larta për trajtimin e qytetarëve të prekur me COVID-19, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Syla ka thënë se qytetarët shpenzojnë deri në 600 euro për medikamente.
“Qytetarët e Kosovës që kanë komplikime prej gripit kinez (Covid-19), e që kanë nevojë për trajtim disa herë në ditë në institucionet mjekësore, harxhojnë deri në 600 euro (me raste edhe më shumë) për medikamente”, ka shkruar Syla.
Sipas tij, njerëzit po marrin hua apo edhe kredi për tu mjekuar.
“Disa prej tyre e kanë ndonjë të afërm në diasporë, disa të tjerë kanë paga që iu mundësojnë të marrin hua apo kredi”, është shprehur ai.
Syla ka kritikuar ashpër përgjegjësit e shëndetësisë në Kosovë të cilët nuk po e kryejn detyrën e tyre në raport me qytetarët.
“Përgjegjësit për shëndetësinë në vend, vetëm dalin e krrokasin e reklamohen para kamerave dhe asnjë gjë tjetër, avaz ky që zgjat prej ditës së parë të pandemisë. Zotin e paqim në ndihmë!”, ka përfunduar Syla. /Insajderi.com