Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se vazhdimisht është bërë apel që të shmangen tubimet politike gjatë fushatës elektorale, sepse sipas tij, ato janë vatra e virusit, njofton Insajderi.
Ai tutje thotë se këta njerëz po e dërgojnë popullatën drejt infeksionit, gjë që më pas pasojat i vuajnë vetë njerëzit dhe stafi shëndetësorë që është i stërlodhur.
“Para disa dite jo vetëm Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka bërë apel më të sinqertë të mundshëm, mirëpo kanë dal mandej edhe Instituti Kombëtar e të tjerë që kanë bërë apele, i keni parë së fundmi me të vërtetë është jo serioze dhe këta njerëz po e dërgojnë popullatën drejtë infeksionit, kush do të merret mandej me të, me siguri një sistem çfarë e kem ne, mirëpo duke ja shtuar kësaj që edhe një staf i cili është i stërlodhur, ka ra edhe qëndrimet, ka ra edhe gjitha ato që duhet të ishin prezente, atëherë këta duhet o t’i thirrin mendjes, o le të përgatiten për më të keqen. Nuk dëshiroj as të hapi panik, mirëpo vetë këto tubime që po i shohim nëpër rrugë, nëpër sallat e dasmave, nëpër oda, me të vërtetë janë vatër e infeksionit, vatër që virusi vetëm e pret dhe e dëshiron”, ka thënë ai, raporton EO.
Syla më tej shtoi se simptomat e variantit të ri të COVID-19 janë më vulgare, duke bërë të ditur që dy anesteziologët e riinfektuar nuk janë aspak në gjendje të mirë.
“Po në fakt unë nuk jam ekspert i fushës, unë jam gjinekolog mirëpo sipas informatave që i marrim nga Infektiva, po është e vërtetë që është pak më vulgare, simptomat janë më të ashpra dhe në fakt po shpresojmë që nuk përfundojnë edhe me fatalitet më të rëndë, mirëpo është një situatë mjaftë e rëndë tek këta pacientë që ri infektohen. Se cila është natyra dhe shkaku unë mundem me fol vetëm për punëtorët shëndetësorë, sipas statistikave të fundit punëtorët shëndetësorë janë të eksponuar katër deri në pesë herë më shumë sesa popullata tjetër ndaj virusit, pra mundeni me marrë me mend ne jemi të rrezikuar katër deri në pesë herë, i keni parë edhe mutacionet tjera që vjen deri tek ky ri infektim”, deklaroi ai. /Insajderi.com