Sylejman Selimi thotë se politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë e dërguan në burg

Sylejman Selimi thotë se politikanët vendorë dhe ndërkombëtarë e dërguan në burg

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi është duke akuzuar politikanët vendor se ia montuan rastin, “Drenica 1 dhe 2”.

Përmes një letre të dërguar nga burgu, Selimi ka shkruar se i gjithë procesi ka qenë i padrejtë, i njëanshëm dhe politik.

“Ju dhe ekipa mbrojtëse keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë seancave për të dëshmuar pafajësinë time dhe grupit Drenica1 dhe 2, dhe i ndihmuat trupit gjyqësor që të dalë e vërteta në rastin tim. Por, fatkeqësisht i tërë procesi nga fillimi kishte qenë i padrejtë, i njëanshëm dhe mbi të gjitha politik. Këtë e argumentoi edhe vetë kryetari i trupit gjykues të EULEX-it z. Malcolm Simmons”, thuhet në letrën e sish-komandantit Selimi.

Tutje Selimi ka shkruar se është i zhgënjyer në drejtësin e vendit. Ai thotë se e gjithë veprimtaria e tij ka qenë në shërbim të Kosovës.

“Fatkeqësisht i tërë procesi kundër meje po del të jetë proces i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë. Tash e një kohë të gjatë jam duke e pyetur vetën pse më kanë penguar në rrugëtimin tim ndaj proceseve shtetëndërtuese para gjatë dhe pas lufte. Kam qenë bartës i institucioneve dhe bashkëpunues si me përgjegjës të sigurisë ndërkombëtare por edhe me përgjegjësit e sigurisë vendore. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në shërbim të vendit tim. Që të kemi një vend të lirë, demokratikë që i shërben çdo qytetari, pa dallim, një vend ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, pra një vend ku sundon ligji, të cilin e kam respektuar dhe do ta respektojë gjithmonë. Por jam i zhgënjyer në drejtësinë e vendit tim ku tërë jetën time i kam shërbyer me dinjitet e deri në vetëmohim para dhe gjatë luftës për popullin tonë nën organizimin e UÇK-së si komandant i saj”, ka shkruar Selimi.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i është përgjigjur thirrjes së deputeti, Daut Haradinaj për ta vizituar Sylejman Selimin në burgun e Dubravës.

Jashari ka thënë se do ta vizitojë Selimin javën e ardhshme derisa ka treguar se ka vizituar në mars të këtij viti.

“Z.Selimi dhe të tjerët janë vizituar në mars 2018, ne Dubrave dhe gjithashtu, ka qenë e planifikuar të vizitohen javën e ardhshme, gjatë vizitës së rregullt në Dubrave”, tha Jashari.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës deputeti Daut Haradinaj i bëri thirrje Avokatit të Popullit për ta vizituar Sylejman Selimin në burgun e Dubavës pasi sipas tij, po dyshohet se atij po i shkelen të drejtat e njeriut.

Para dy jave Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar me kusht Jahir Demakun, ndërsa ka hedhur poshtë kërkesën për lirim të Sylejman Selimit.

Tomë Gashi, avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë se klienti i tij është duke u mbajtur padrejtësisht në burg. Sipas tij, vendimi për burgosjen e Sylejman Selimit është politik dhe pa asnjë bazë juridike. “Nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi të vazhdojë të mbahet në burg.

Në dy rastet ku ai ka qenë i akuzuar, është shpallë i pafajshëm. Si në rastin Drenica 1 dhe Drenica 2, ndaj Selimit kanë përfunduar gjykimet”. “Nëse ata guxojnë që të vazhdojnë ta mbajnë në burg, le ta bëjnë këtë. Por, herdokur do të ndiqen penalisht të gjithë ata që pa asnjë bazë juridike po e mbajnë Sylejman Selimin në burg”. /Insajderi.com 

Avokati i popullit i përgjigjet kërkesës së Haradinajt, thotë se do ta vizitojë Selimin

Sylejman Selimi dërgon letër nga burgu: Harrojeni që ekzistoj