Komunikata anonime pohon se “Syri i Popullit” përkrah Vetëvendosjen në zgjedhje

Komunikata anonime pohon se “Syri i Popullit” përkrah Vetëvendosjen në zgjedhje

Organizata e ashtuquajtur “Syri i Popullit” ka sugjeruar sot qytetarët që të votojnë Vetëvendosjen në zgjedhjet parlamentare.

Përmes një komunikate drejtuar medieve, nga emaili “[email protected]”, që pretendojnë të jenë anëtarë të kësaj organizate, kanë thënë se vota e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do të jetë një “grusht i rëndë” për tradhëtarët.

Përmes kësaj komunikate, kjo organizatë ka kërkuar edhe lirimin e anëtarëve të saj, të cilët u burgosën të enjten nga Policia e Kosovës.

“Organizata ‘Syri i Popullit’ e dënon represionin shtetror kundër anëtarve të kësaj Organizate. Ju bëjmë apel organëve të sigurisë që sa më parë t’i lirojnë anëtarët e burgosur në krye me Ragip Sallovën! Pushteti dhe milicia e Isa Mustafës, pasiqë kanë humbur karrigat, të frikësuar nga  ngritja e Levizjës Vetëvendosje, dhe panika, po bëjnë çmos për të na dëmtuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas “Syrit të Popullit”, vota për Vetëvendosjen është votë për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës, grushti më i rëndë për këtë kaste tradhtarësh është vota juaj. Prandaj, më 11 Qershor, mos hezitoni, votonë të ardhmen tuaj, votonë Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në komunikatë. /Insajderi.com