Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet vetëm me synimin për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe për mbylljen e çështjeve të hapura midis këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, njofton Insajderi.
Sipas tij, varet nga Kosova se sa shpejt do të integrohet në Bashkimin Evropian, performimi siç tha ai, do të ndikojë edhe në marrjen e më shumë fondeve, duke shtuar se sfida më e madhe për vendin është implementimi i legjislacionit.
“Shpesh në raport mundesh me pa nuk ka progres, apo ka pak progres. Nuk është diçka impresive dhe janë dy shtete Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë progres më të mirë. Ndërsa, Serbia, Kosova, Bosnja Hercegovina janë me pak progres. Varet nga qeveria dhe shoqëria që të ketë Kosova performim më të mirë. Kosova nuk është më e keqja por nuk është edhe më e mira, dhe kërkohet më gjatë për të arritur”, ka theksuar ambasadori i BE-së në Kosovë.
Szunyog ka folur edhe për marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, për çka thotë se mund të jenë në dobi për bisedimet.
“Ato zotime të njëanshme janë disa prej tyre pozitive dhe mund të jenë në dobi për dialogun. Ka prej tyre që nuk kanë të bëjnë mes Kosovës dhe Serbisë. Ka elemente pozitive. Por BE dhe ShBA po punojnë shumë ngushtë për ta garantuar stabilitetin mes Kosovës dhe Serbisë por edhe vendeve tjera në rajon”, shtoi ai. /Insajderi.com